NJOFTIM
Lajm
- Shtëpi
- >
- Lajm
NJOFTIM
Të nxitur nga reagimet e ashpra të publikut lidhur me lartësinë e masës së dënimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore Tetovë për aksidentin e trafikut në të cilin humbi jetën e ndjera T.R. nga fsh.Saraqinë, si gjyqtarë, konsiderojmë se është e nevojshme t'i drejtohemi publikut për informimin e duhur, si dhe për të mbrojtur reputacionin e funksionit gjyqësor, pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit në përgjithësi.
Para së gjithash, si gjyqtarë të Degës së Shoqatës së Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjykatën Themelore Tetovë, shprehim keqardhjen tonë të thellë për jetën e re të humbur në aksidentin e trafikut të ndodhur më 15 gusht 2022.
Theksojmë se PTHP e Tetovës parashtroi propozim-akuzë KO nr.172/23 më 06.06.2023, kundër të akuzuarit M.P. nga fsh.Reçica e Madhe për veprën penale VEPRA TË RËNDA KUNDËR SIGURISË SË NJERËZVE DHE PRONËS NË KOMUNIKACION nga neni 300 par.4 lidhur me nenin 297, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KP. Gjykata Themelore Tetovë me Aktgjykimin K.nr.436/23 të datës 30.11.2023, të akuzuarin e shpalli fajtor dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj. Me ankesën e parashtruar nga i akuzuari, Gjykata e Apelit Gostivar me Aktgjykimin KZH nr. 64/24, më 16.04.2024, ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë në pjesën e dënimit duke e ulur atë dhe duke e dënuar të akuzuarin me dënim me burgim prej 2 (dy) vitesh.
Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke vepruar sipas kërkesës për rishikim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë të personit të dënuar, ka shqiptuar aktgjykimin KVP 2 nr.106/24 të datës 25.12.2024, me të cilin kërkesën e të dënuarit e ka miratuar dhe ka abroguar aktgjykimet e Gjykatës Themelore Tetovë dhe Gjykatës së Apelit Gostivar dhe lënda është kthyer në rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Pas kthimit të lëndës në Gjykatën Themelore Tetovë, ai i është caktuar një gjyqtari tjetër për shkak se gjyqtari i cili më parë e kishte trajtuar lëndën doli në pension. Në procedurën e përsëritur, në seancën kryesore të mbajtur më 07.04.2025, pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata ka sjerll dhe shpallur publikisht aktgjykimin me të cilin i akuzuari është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale nga “pakujdesia” VEPRA TË RËNDA KUNDËR SIGURISË DHE PRONËS NË KOMUNIKACION parashikuar nga neni 300 par.4 lidhur me nenin 297, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KP dhe e ka dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite.
Gjyqtari gjatë përcaktimit të dënimit për të akuzuarin ka marrë parasysh si rrethanat rënduese ashtu edhe ato lehtësuese, përkatësisht mënyrën e kryerjes së veprës penale, përgjegjësinë penale të të akuzuarit, sjelljen e tij në sallën e gjyqit, rrethanat që lidhen me llojin, karakterin, peshën dhe seriozitetin e veprës penale, kushtet e rrugës, faktin që e ndjera ka kaluar rrugën në vizë-bardhat për këmbësorë, pasojat e dëmshme të cilat kanë ndodhur si rezultat i veprimit të inkriminuar, rrethana se përfaqësuesit ligjorë të të ndjerës iu bashkuan ndjekjes penale dhe kanë shprehur kërkesë për dëmshpërblim, rrethana se i akuzuari e pranoi fajësinë, shprehu keqardhjen për ngjarjen, se i akuzuari nuk ishte dënuar më parë dhe se nuk zhvillohet asnjë procedure tjetër penale kundër tij.
Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, gjyqtari, në procedurë të përsëritur, e ka dënuar të akuzuarin me masën maksimale të lejuar me burgim, duke marrë parasysh ndalesën për ndryshimin e përkeqësimit (reformatio in peius) si parim i parashikuar në LPP, në një situatë kur me kërkesë të të akuzuarit, Gjykata e Supreme ka abroguar aktgjykimet dhe e ka kthyer lëndën në gjykatën e shkallës së parë, për shkak të kësaj ndalese aktgjykimi i ri nuk mund që të ndryshohet në dëm të të akuzuarit dhe as në pjesën lidhur me kualifikimin juridik të veprës dhe as për sanksionin penal.
Nga e lartë theksuara qartë mund të konstatohet se gjyqtarët e Gjykatës Themelore Tetovë kanë vepruar ekskluzivisht në përputhje me normat e parapara ligjore dhe për këtë arsye NE APELOJMË tek të gjithë lexuesit në shoqëri që të përmbahen nga komentet e pajustifikuara, dhe të mos e përdorin këtë aktgjykim për sulme të pabaza ndaj gjyqtarëve, stigmatizim dhe linçim publik, të cilët veprojnë në rastin konkret, për të arritur qëllime të tjera, pasi që në atë mënyrë cënohet reputacioni i gjyqtarëve, shkelet sundimi funksionimi i sundimit të së drejtës si dobi themelore demokratike.
Nga Gjyqtarët dhe Dega e Shoqatës së Gjyqtarëve të Gjykatës Themelore Tetovë.